10 pyetje dhe 10 përgjigje nga ekspertët tanë rreth pasojave ligjore të COVID-19

Përmbledhje mbi impaktin e COVID-19 dhe masave të ndërmarra nga Qeveria mbi të drejtën kontraktore në përgjithësi. Kjo është një përmbledhje e pyetjeve të përsëritura që ne marrim aktualisht nga klientët që kanë lidhur kontrata të cilat parashikojnë ligjin shqiptar si ligj të zbatueshëm për kontratën dhe tani preken nga përhapja e shpejtë e COVID-19 […]

Përmbledhje mbi impaktin e COVID-19 dhe masave të ndërmarra nga Qeveria mbi të drejtën kontraktore në përgjithësi. Kjo është një përmbledhje e pyetjeve të përsëritura që ne marrim aktualisht nga klientët që kanë lidhur kontrata të cilat parashikojnë ligjin shqiptar si ligj të zbatueshëm për kontratën dhe tani preken nga përhapja e shpejtë e COVID-19 dhe ndikimi i masave qeveritare të cilat kanë shkaktuar ndërprerje të biznesit në një shkallë kombëtare, por edhe botërore.

Kjo situatë paraqet probleme në lidhje me detyrimet kontraktuale dhe pasojat e mundshme të mosperformancës. Ne ofrojmë përgjigje për pyetjet kryesore mbi mjetet juridike që janë në dispozicion sipas ligjit shqiptar.

Ju lutemi kini parasysh se parashikimet dhe llojet e kontratave ndryshojnë midis industrive dhe ato duhet të vlerësohen individualisht rast pas rasti. Kjo përmbledhje e shkurtër mund të shërbejë si një udhëzues i parë dhe jo një këshillë e detajuar ligjore për të vlerësuar hapat e ardhshëm në marrëdhëniet me partnerët e biznesit në situatën aktuale.

  1. A mundet një palë në një kontratë të përdorë efektin e ngjarjes së COVID-19 si shkak për mospërmbushjen e detyrimeve të saj?

Është parim i të drejtës sonë kontraktore, nenet 422 dhe 455 të Kodit Civil, që palët duhet të sillen ndaj njeri-tjetrit me mirëbesim dhe me korrektesë. Kjo do të thotë që në gjithë vijimësinë e kontratës palët duhet të bëjnë përpjekjet e tyre maksimale të arsyeshme për të bërë të mundur përmbushjen e detyrimeve dhe për të minimizuar çdo efekt të jashtëm të dëmshëm që mund të kanosë zbatimin e kontratës.

Në rastin e pandemisë COVID-19 të shoqëruar me masa kufizuese qeveritare në mjaft kontrata, palëve u është kufizuar aftësia apo mundësia për të performuar në mënyrë të plotë ose në mënyrën e duhur detyrimet e tyre.

Legjislacioni shqiptar si dhe shumë legjislacione të tjera të vendeve të sistemit ‘civil law’ nuk parashikon definicion për forcë madhore force majeure ndonëse si koncept dhe rrethanë ai njihet dhe trajtohet edhe në legjislacione të tjera. Po kështu forca madhore ndonëse e padefinuar përmendet në Kodin Civil, si për shembull në rastet e pezullimit të parashkrimit apo mund të përdoret në mënyrë incidentale edhe në pjesë të tjera të legjislacionit. Zakonisht force majeure – forca madhore – parashikohet në kontrata të ndryshme ku për nga natyra e tyre ka shumë gjasa që  implementimi i të drejtave dhe detyrimeve të ndikohet nga efeket e saj.

COVID-19 për nga natyra,  efektet, shtrirja e tij si dhe natyra e masave të marra qeveritare për ta përballuar atë mund të barazohet me fuqinë e një force madhore pasi ka karakteristikat e një ngjarje që nuk mund të parashikohej në mënyrë të arsyeshme në momentin e lidhjes së kontratës si dhe pamundëson objektivisht zbatimin e detyrimeve të palëve pa fajin e këtyre të fundit, në referencë të Nenit 476 të Kodit Civil.

Kur themi pa faj nënkuptojmë që sjellja e palës kontraktore ka qenë e tillë që pavarësisht masave të marra nga ana e saj, pamundësia e zbatimit të detyrimit si gjendje faktike dhe juridike vërtetohet.

Në kushtet e mësipërme parimisht çdo mangësi apo mospërmbushje e detyrimit të palës që do t’i atribuohej prezencës së COVID-19 do të mund të justifikohej së pari dhe mbi të gjitha nga fakti nëse kjo palë ka marrë të gjitha masat për të minimizuar dëmin eventual si dhe përmbushjen e detyrimit në përmbajtjen e tij për aq sa ishte e mundur sikur COVID-19 të mos ekzistonte dhe kjo gjendje vërtetohet rast pas rasti.

Pra, një palë mund të përdorë situatën e COVID-19 si shkak për mospërmbushje detyrimi nëse kjo mospërmbushje është objektivisht e pamundur dhe që pala në fjalë ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe të arsyeshme pa asnjë neglizhencë për minimizimin e dëmeve që mund t’i shkaktohen palës tjetër nga mospërmbushja e detyrimit si dhe përmbushjen e detyrimit qoftë edhe në mënyrë të pjesshme – në çdo rast kur kjo është e mundur dhe e paafektuar nga ndikimi i COVID-19.

  • A mbetet përgjegjëse një palë kontraktore për përmbushjen e detyrimeve të saj para veprimit të COVID-19?

Sigurisht pala kontraktore duhet të përmbushë detyrimin e saj sipas përmbajtjes, mënyrës dhe kohës së parashikuar në kontratë dhe për çdo detyrim të papërmbushur sipas kritereve të mësipërme, jo për shkak të veprimit të COVID-19, ajo mban përgjegjësi.

  • Çfarë ndodh nëse si pasojë e veprimeve të marra nga autoritetet shtetërore për shkak të COVID-19 ekzekutimi i detyrimeve i njërës palë bëhet i pamundur?

Nëse ekzekutimi i detyrimit bëhet i pamundur si pasojë e veprimeve të autoriteteve shtetërore – pra kontrata ka humbur bazën dhe funksionalitetin e saj – atëherë palët mund ta përfundojnë atë dhe secila palë duhet të kthejë mbrapsht atë që ka marrë nga lidhja e kësaj kontrate. Gjithsesi kjo masë shikohet si masë ekstreme apo fundore. Palët rekomandohen të hyjnë në negociata për të amenduar apo përshtatur kushtet e kontratës me rrethanat e reja.

  • Në kushtet e efekteve të COVID-19, a mund të bëhet zgjidhja e njëanshme e kontratës?

Nëse në kontratë është parashikuar si forcë madhore epidemia apo pandemia, apo kjo forcë është përshkruar në mënyrë të zgjeruar si një akt i Zotit apo natyrës, siç është rasti konkret me COVID-19 dhe kjo forcë madhore është parashikuar shprehimisht si shkak për zgjidhje të njëanshme të kontratës, atëherë ky shkak mund të përdoret nga pala që ndërmerr zgjidhjen e njëanshme të kontratës. Nëse sa më sipër nuk është parashikuar, gjithsesi pala që kërkon të çlirohet nga detyrimi i saj mund ta përdorë si opsion, por gjithmonë në kushtet që ky opsion mbetet i vetmi, si dhe të jenë ezauruar të gjithë hapat e mëparshëm ku mund të përfshihet fare mirë negocimi dhe përshtatja e kontratës me rrethanat e reja. Kujdes duhet bërë me kontratat e punës ku përfshihen edhe elemente të politikës publike të rregulluara posaçërisht nga Kodi i Punës.

  • Çfarë ndodh nëse në funksion të përmbushjes së detyrimeve veprimet e njërës palë bien në kundërshtim me vendimet apo veprimet e autoriteteve shtetërore të ndërmarra në kuadër të COVID-19?

Çdo veprim i ndërmarrë nga pala kontraktore që do të bjerë ndesh me një normë urdhëruese të parashikuar në vendimet apo aktet e deritanishme qeveritare – përfshirë edhe aktin për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në Republikën e Shqipërisë – në kuptim të ligjit konsiderohet si veprim nul dhe pa asnjë efekt juridik. Në të tilla raste pala duhet t’i përmbahet dinamikës së vendimeve, akteve ligjore dhe normativave shtetërore duke pezulluar përkohësisht aktivitetin, të ndjekë evoluimin e këtyre rregullave dhe të përshtasë aktivitetin bazuar në këtë dinamikë. Çdo kërkesë për dëmshpërblim si pasojë e pezullimit të aktivitetit të bizneseve për shkak të COVID-19 duhet të adresohet sipas rrugëve dhe mjeteve ligjore në rast se masat e shpallura nga Qeveria në aktet ligjore të hyra në fuqi për shkak të COVID-19, ndonëse formalisht të bazuara,  janë joporporcionale, neglizhente apo bien ndesh me mbrojtjen që iu bëhet të drejtave ekonomike bazike të biznesit nga vetë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, edhe në rrethana të jashtëzakonshme.

  • Në kushtet e veprimit të COVID-19 ku ekzekutimi i detyrimit nga njëra palë pamundësohet ose është i mangët – a mund të aplikohet nga pala tjetër e drejta që ia njeh kontrata për të aplikuar penalitet?

Përgjigja ndaj kësaj pyetjeje varet rast pas rasti, por penaliteti zakonisht aplikohet për sjellje me faj në mospërmbushjen e detyrimeve – që nuk është rasti. Edhe nëse aplikohet penaliteti, pala tjetër e cila ka qenë subjekt i kësaj mase mund ta adresojë këtë çështje direkt në gjykatë duke e konsideruar penalitetin eksesiv dhe të vënë në rrethanë të papërshtatshme.

  • Në cilat rrethana është e detyrueshme të pezullojmë ose kufizojmë operacionet tona të biznesit?

Ne ju rekomandojmë që të vëzhgoni nga afër situatën aktuale, pasi po zhvillohet mjaft shpejt dhe ndryshon çdo ditë. Nëse biznesi juaj është nën ndalesat e përcaktuara nga Qeveria shqiptare, ju duhet të pajtoheni me to dhe të pezulloni aktivitetin e biznesit ashtu siç kërkohet.

  • Duke marrë parasysh masat aktuale të paraqitura nga Qeveria, jam i detyruar të mbyll biznesin tim. A mund të kërkoj rimbursim të dëmeve nga Qeveria?

Pretendimet për dëmtime nuk ka të ngjarë të kenë sukses për sa kohë që autoritetet shtetërore kanë vepruar ligjërisht dhe pa neglizhencë. Sidoqoftë, autoritetet janë duke punuar në fondet e kompensimit për dëmet që vijnë për shkak të situatës aktuale. Ne ju rekomandojmë të vëzhgoni nga afër zhvillimet e herëpashershme.

  • A ka ndonjë ndikim në periudhat procedurale apo afatet e parashkrimit?

Po. Qeveria ka urdhëruar ndërprerjen e të gjitha periudhave procedurale (me përjashtim të disa procedurave me interes të së drejtës publike) deri në zgjidhjen e situatës së COVID-19. Kjo do të thotë se të gjitha periudhat do të ndërpriten dhe do të fillojnë përsëri në një moment të dytë të pacaktuar deri më tani.

  1. Çfarë hapa duhet të ndërmarr tani?

1. Kontrolloni përditësimet nga qeveria çdo ditë.

2. Kontaktoni partnerët tuaj të biznesit nëse parashikoni që të mos jeni në gjendje të përmbushni detyrimet tuaja kontraktore. Duke bërë këtë, ju gjithashtu respektoni detyrën tuaj për të limituar dëmet.

3. Rishikoni kontratat tuaja për çdo klauzolë force madhore ose klauzola të tjera përfundimi të kontratës.

4. Para se të përfundoni kontratat duke u bazuar në forcën madhore ose sepse baza për kontratën ka pushuar së ekzistuari, përpiquni të amendoni apo negocioni kontratën me partnerin tuaj të biznesit nëse është e mundur.